August 5, 2024
Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

SHTËPIA E RE

Aty nën pjergullën e rrushit
ku dy pleq të vetmuar shtrojnë tryezën
për t’i ushqyer zogjtë e kujtimit me thërrimet e jetës
do të ndërtoj një shtëpi

Atje ku një nuse e re me shami të zezë në kokë
pret fluturën e bardhë t’i zbresë mbi sup
për ta shuar mallin për të vdekurin e saj
një shtëpi do të ndërtoj

Andej nga molla e egër do t’ia lë një derë
sa herë të hyjmë sa herë të dalim
sa herë të pikë ndonjë frutë ore
të na bjerë ndërmend se jetojmë
mes engjëjve dhe krimbave

Do të pijmë rakinë që na ruajti babai ore vëlla
do të sosim dhimbjen do të shuajmë mallin
dhe…
vargjet e reja …
rrudha të reja do të na shtojnë në fytyrë

Po shtëpinë aman shtëpinë e re si ta ndërtoj
ku të gjej në këtë botë një arkitekt
që do të mund të rregullonte një vend
aq të Shenjtë aq të shtrenjtë
për të bërë dashuri për të vuajtur
ku do të qaj nga gëzimet nga dhimbjet që më presin
ku do të lindin më të dashurit e mi
ku më të dashurit e mi do të vdesin?

“COPA IME E QIELLIT”, Botime KOHA, 2015

Xhevdet Bajraj

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com