Ku ishe ti..? (Kushtuar femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë) – Ardita Lajçi-Gjocaj

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

KU ISHE TI?

Ku ishe ti..?
Trim i prapaskenave,
që në fushëbetejë tjetërsohesh?

Ku ishe ti?
Atëherë kur rënkimi im, ra n’vesh t’shurdhër
E nuk kisha një dorë fati t’më përkëdhelë.

Kur mizorisht u çnjerëzua dinjiteti im
Me njolla gjaku ma përlyen vellon pafajësisë,
Ëndrrat m’i grisën, në shpirt m’i kanë vrarë
Thërrmia shpirti m’u copëtuan para këmbëve,
U bënë copë-copë.

Më forcën e fundit çava mjegullat e fatit,
Në rrugët e shpresës u zvarrita këmbadoras.
Gjurmët e plagëvë në trupin tim,
Si hije do t’më përcjellin deri në amshim.

Tani ti, demon i ferrit tim,
Me vret dita-ditës ngapak
M’poshtëron më shumë se ç’jam poshtëruar
Si krimb gjurmon plagëve, që kurrë nuk u mbyllën.

E sheh,
kam vdekur brenda gjymtyrëve të gjalla,
Jamë lodhur nga indiferenca jote,
Mezi mbaj edhe lëkurën time.

Ti mund t’i dëgjosh rrahjet e zemrës
Por s’mund t’i kuptosh dhimbjet ne krahëror
Që ma kanë rrënuar shpirtin, deri në gërmadha
E m’kanë shndërruar në grimcë pluhuri pa jetë,
që veç sillet nëpër erë.

Ndër damarët ku rrjedh jeta,
ndjej veç dhimbjen,
që ma vret deshirën të jetoj.
Si qiriu shkrihem tretem,
e djeg veten dalëngadalë.

Tani,
më lër ndër të fshehta monopate,
të harruar pas mjegullës mortore,
Atje ku do të tretem e hi do të bëhem!

A. L-Gj

Kushtuar femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com