Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

PRIT! JO, MOS PRIT!

Për Ty nga “My petit”

Prit, mos nxito kaq shumë, tek zhvishesh
Të lutem ngadalë,
Bëje tmerrësisht ngadalë,
T’i shoh çarçafët tek thinjen nga zilia
(E zezë është thinj-ja e copës së bardhë… )

Ma jep tani mua këmishën e ngrohtë,
Ma jep edhe turpin tënd të purpurtë ,
Gjerdanin e perlave të qafës
Ma ler,
Ti var në rrathët e frymës sime të butë.

Mos u shtri aty! Prit, se jastëku
E paska një rrudhë e supin ta vret,
Më prit pak, që Hënën ta lëviz
Si një ftua,
Ta vë në cep të dritares.
Në qejfin e vet.

Se pas dashurisë do jetë pjekur
Dhe ne prej urisë….
Hënën mund ta hamë,
Po gjer atëherë dritë e saj tek kërthiza,
Le të ma mbush atë kupëz
Përplot me shampanjë.

Tani përkulu, shtrihu, më thuaj!
Sa tigra të duhen
Të t’i fus nën lëkurë,
Jam gati të murosem tek harqet e tua
Tani që mbi mua
Po bëhesh një Urë.

Tani çahu si shega në vjeshtën e tretë,
Dhe hape Flamurin e Kuq
Si flakë,
Tani mos prit! Nxito, nxito,
Një sekondë po prita
Do të ngrysem një Plak…

Tani jam burri më i mirë në njëmijë,
Bëhu Zonja e jetës,
Vrime e zezë kozmike,
Përpimë që të vdes dhe ngjallëm sërish
Je ti Ringjallja e sagës biblike.

Mos merr ashtu frymë,
Se xhamat do t’i thyesh,
Dhe Zoti do zgjohet nga gjumi i penduar,
Që ne të dy na bëri bashkë
Ah, kaq të vonuar….

Tani mendoje këtë natë si të fundit,
Mi var rënkimet – perla
Pas qafës tënde,
Se dua, se dua, se dua të mbetem
Pesëqind vjet pa mendje….

Petrit Ruka

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com