Poezia… ( Krijuesve të rinj…) – Fatos Luta
Poezia…
( Krijuesve të rinj…)
Poezia nuk është të lozësh me germa,
T’krijosh thjesht varg të lirë a me rima.
Nëse s’u jep një gjoks, të rrahë zemra,
Nëse s’u jep një shpirt me psherëtima,
Nëse s’u jep një sy, të jetë si teleskopi,
Nëse s’u jep vargjeve një copë shpuze,
Nëse s’u jep atë ndjenjë të t’kullojë loti,
Nëse s’u jep buzëqeshje, dridhje buze…
Ti ke shkruar…të lumtë dora, sigurisht,
(Të lexosh e t’shkruash është mrekulli!)
Por pendën, kur s’e ke ngjyer në shpirt,
S’je asgjëkund mes rreshtave në poezi.
Provo të pikturosh…atë ndjenjë zemre,
Të një djali a vajze, që të t’pulson gjak!
Atëhere, s’do të jetë më një lojë germe,
Por, kujtimi yt lapidar i ngritur mbi varg…
Fatos Luta, 31/07/2018