Festa – Fakete Rexha
FESTA
- korrik. 1990
Trupat tanë të njomë jetët tona t’vogla
herë herë ndalen si mekanizma të rrezikshëm
si orë të kurdisura në bombat plastike
rinia si e imja i mbledh pjesët e trupit
si copa veglash në tavolinë ortari.
Në “Hanin e dy Robertëve” tavolina jonë
me courvoisier e fruta, afër tones një tjetër,
afër saj, plot tjera tavolina me verë e ambëlsina
ma shumë njerëz n’kambë se ulun. Kemi festë.
Poshtë n’rrugë rrëmujë, ulërimë, ikje në turmë,
gas lotsjellës. Muzika pushoi.
N’Kurriz policia kishte mbyll hyrje daljen e tunelit
nga ikja në mesnatë më mbeti kujtim
shenja n’arkadë, n’krahë, n’tamth, n’kambë,
çanta pa këpucë e shall
dhe lotët e shoqes sime
në kremte që s’desh me ardh.
Ishte e bukur si gjithnjë
shoqja ime e studimeve
policia ia shëmtoi fytyrën.
“Kthimi i Motrës”, Renesansa. 1993