Bukë, kripë dhe zemër – Astrit Bulla
BUKË, KRIPË DHE ZEMËR
Eja, po të pres ty o mik i vjetër,
trokit pa pikë droje, ti në portën time,
të ulemi në tavolinë, të bisedojmë pa letër,
të flasim për jetën, mbushur me kujtime…
Të kujtojmë rininë, nën diktaturë jetuar,
të tokim bashkë gotat, mbushur me raki,
mbushur dhe me halle, që kemi kaluar,
eja t’i trokasim, si dikur në rini…
Eja miku im, hapur e gjen portën,
unë do të pres me mallë të përvëluar,
do fillojmë bisedën duke tokur gotën,
gotën do harrojmë, në kujtime harruar…
Unë nuk jam i varfër, as i pasur jam,
jetoj thjesht, me djersë, pa famë, pa lavdi,
si pishtar prejardhjen, traditat i kam,
bukë, kripë dhe zemër, kam gjithmonë në shtëpi…
TITI…
Astrit Bulla