Vdeksh moj ti që fle zbuluar – Petrit Ruka
Sugjeruar nga Xheva Salihaj
Petrit Ruka
VDEKSH MOJ TI QË FLE ZBULUAR!
Vdeksh moj ti që fle zbuluar,
Në të shkretin ëndërrim.
Me çarçafin e rrëzuar,
Sikur bën qefinin tim.
Vdeksh moj ti që pjek nën hënë,
Gjinjtë-pjepra, mjaltë e vrer.
Zot, o zot, mos qoftë e thënë,
Që dhe syri vret e ther.
Vdeksh që si vesë të mekur,
Bulon djersën mbi kërthizë.
Mbase ti më do të vdekur,
Me mornica më qëndis.
Vdeksh që krahët si shandanë,
I ke ndezur për të parë.
Tërë tempujt paganë,
Ndrinin me të tillë pishtarë.
Tërë kolonat prej mermeri,
Si këto kofshët e tua.
Kur të hyj me drithma tmerri,
Rënçin, më thërmofshin mua.
Vdeksh që gjakun ma bën ujë,
Me dy gjysëm hëna pjeshke.
Digju, moj e zeza kujë,
Si një zjarr bublak, prej eshke.
Vdeksh, që s’e ngre, më thua,
U bë akull dyshemesë.
Mos e bëj qefin për mua,
Ëndrra, ëndërr, s’di te vdesë…
Petrit Ruka