Kohë maskash – Agim Desku
KOHË MASKASH
Për një çast takova ufot
Kohën ç’ma çmenden maskarenjtë
Apokalipsat u mbyllën n’maska
Askush nuk i çahet së vërtetës
Kohës sime i duhesh sot o kurrë
Për ta gjetur një fjalë të pathënë
Një varg që aty ti më rri si mbretëreshë
E dimë kush e sjelli kohën e maskave
Ç’faj më ka e bukura e detit
Për mëkatet e fundosjes së Titaniku
S’kam për t’i harrue simfonitë e Betovenit
Edhe nëse bajlozët më thyen n’shpirt
Do vetvritet një ditë koha e maskarenjve
Lum ai kush jeton n’kohë pa maska
Dashuritë i falën për brezat e lirisë
Në këtë kohë maskash
E desha një varg a fjalë shpirti
Edhe nëse më deh a më bën t’krisur
Sonte njëqind lutje ia bëra shiut
Të mos më sjellë stuhi t’çmendura
Mjaft i kam përmbi retë korbiane
Nuk njohin zotëra as jetë trëndafilash.