Vashë shqiptare – Lumni Nimani
Vashë shqiptare
Je e ëmbël si mjalti në hoje
Me atë shtat që shndrit si nur
Kur hedh valle moj çikë Tropoje
Bash si shqipja në flamur.
Aromëmirë si lulja e blinit
Lindë e rritë me atë valë deti
Moj zanë mali prej Ulqinit
Si ti t’bukur s’ka më n’gjeti.
Çm’i ka hije veshja dardane
N’daç si nuse; e n’daç si bija!
Më e bukura ajo vajzë llapjane
Për të çmenden krejt djelmnia…
Vjen belholla e anës Drinit
Flokët e saj porsi ujëvarë
I jep shkëlqim krejt Dukagjinit
Rrokë flamurin krushku i parë.
Shtatselvia nga Tetova
Qëndisë mindilin e beqarisë
Për djalëbukurin nga Gjakova
Që dasëm t’madhe paska nisë.
Oh sa mall ka për atë syzezën
Ai çun Presheve atje n’Luginë
Për atë vashë çame e për Prevezën
Do bëjnë dasmën në Prishtinë.
Lumni Nimani
05. 10. 2020 Straubing