Letër Motrës ! – Abdi Përgjegja
Letër Motrës !
Katër ditë sot që kam nis një letër,
ende nuk kam mund me e përfunduar..!
Sa bëj ta mbyll më kujtohet diçka tjetër,
e prapë nga fillimi vazhdoj me shkruar.. !
Bëj çudi me veten si paskam harruar,
dikur për ne ishin shumë të rëndësishme !
Shumicën prej tyre dhe i kam arkivuar,
edhe pse flasin për gjëra të përgjithshme !
Si u rrite vazhdove shkollën në Tiranë,
unë ndërtova folenë time në shkodër !
Si të mëdhenj vuanim për prindërit tanë,
që jetonin vetëm me motrën e vogël.
Si ata dikur mban sytë nga rruga,
mbasditeve apo mbrëmjeve deri vonë.
Si ata dikur vonë e shtron dhe darkën,
pastaj mbyllesh e me heshtjen bisedon.
Ke mbetur motër me të vjetrën,
qeshen fëmijtë kur kujton kohën e shkuar.
Ndaj e paskam vështirë ta mbyll letrën
se kam aq shumë gjëra për të të treguar..
Katër ditë sot që e kam nis këtë letër,
katër ditë s’kam arrit me e përfunduar
Ti shqetësohesh për nënën tonë të vjetër,
e ajo me të voglën prapë na ka tradhtuar.
Pa më thuaj a s’bëre kështu dhe ti
u rritën dy të parët e fluturuan në Tiranë.
Vetëm të vogëlin e keni mbajtur aty,
ashtu siç bënë dikur dhe prindërit tanë .
Kështu qënka jeta motër e dashur
fluturojnë fëmijët si zogjtë e shqiponjës.
Qeshu motër mos më rri zemër plasur,
sa prindër si ti i kanë rrugëve të botës.
Po e mbyll këtë letër të papostuar,
të shkruaj si dikur tash ka dalë nga moda !
Ndoshta as ti s’ke kohë për ta lexuar,
edhe unë jam dembelosur nga mosha…!
Abdi Përgjegja
Shkodër.26.10.’18.