Fund tetori – Abdi Përgjegja
Fund tetori.
Po ikën tetori si t’mos ish,
i bukuri i vjeshtës do më marrë malli.
Ndonjë ditë dhe po t’mos e kish,
me njëzetë e nëntë s’do bëhej nami.
Ke mjaft ditë të bukura me histori,
do më mjaftonte vetëm dita trembëdhjetë.
Ndoshta ndaj të pagëzuan për poezi,
në vite të ndryshme lindën dy Poetë.
Dy poetë që vargut i dhanë emër,
ndonëse njëri nuk ishte me shumë fat.
Poeti i mjerimit që lindi në Shkodër,
dhe Agolli i madh që shkruajti më gjatë.
Po ikën tetori me të dhe vjeshta,
Ka ditë mezi mbahen veshjet e pemëve.
Si nuk kam mundësi,sa do të desha
ta ndryshoja radhën e vjetër të stinëve !
Po ikën tetori ky muaj i artë,
natyrën mbulon me okrën e Van Gogut.
Hardhia vishet më bukur se gratë,
e shpatinat i qëndis e verdha e shtogut.
Po ikën tetori muaji i poezisë,
një vit është shumë o i bukuri i vjeshtës.
Riçele trëndafilin simbolin e dashnisë,
dhe Ti si pranvera jep jetë të bukurës
Abdi Përgjegja