August 10, 2024

Atje ku jam rritur – Rifat Ismaili

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

ATJE KU JAM RRITUR

Atje ku jam rritur unë
Te quajnë të lojtur po të shkruash
Fjala ” poet” është si pistoletë pa fishekë
Për njerëzit je një dele e humbur rrugës
Më së shumti, je dikush që kështjella prej letre ngre.
Ku jam rritur, ujërat e lumit të thërrasin poet
Ndryshe prej njerëzve loja e rrjedhës të thërret
Si një perëndi e pavdekshme ndjehesh atje
Dhe hëna syrin e fshehur përmes drurëve të shkel.
Atje ku jam rritur njerëzit jane të vrazhdë
Si kurve qe të merr në qafë u ngjan poezia
Më shumë vlerësojnë harbutët e djajtë
Nga poeti largohen si ti ketë rënë mbi kokë çatia.
Ku jam rritur unë
Dhe pulat në kotec e përqeshin poetin
” Po ci duhet, të uruarit, thonë, poezia
Ajo në shtatë qiej me ëndrra të ngre
Po kur zbret në tokë është zbrazur kusia..”
Po vjeshta e ndjell në mbretërinë e saj poetin
Si murg gjuhëprerë që s’ mund të thotë të vërtetën
E mbulon me fletë të rëna si të qenë monedha
Dhe e deh me kupat mbushur me mjegull.
Por dhe dimri plak e fton në oxhak
Me erera dhe stuhi i përgatit një darkë
Në fund e gostit dhe me petulla resh
Pastaj e përcjell në udhën e tij të shenjtë.
Shumë e duan dhe shumë se duan poetin
Atje ku unë u rrita
Të jesh poet është fjalë e mbrapshtë
Më shumë se lugati tremben prej tij njerëzit
” Nga na mbiu ,i thonë vetes, kjo farë”…
Atje ku u rrita, nuk ka vend për poetin,
Në sofër se ulin, me qenin e lënë jashtë
E mendojnë nje gjëmëprurës, të shenjuar nga mallkimet
Një orakull që do sheshojë Trojën e tyre të artë.
Atje ku unë linda si duan poetët
Hiqen sikur i duan vetëm kur s janë më gjallë.

31- 10-2020

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com