August 11, 2024
Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

NGROTËSI NËNE

Në dimër, malli më solli në vendlindje,
tek kjo shtëpi e thjeshtë e paharruar.
E njëjta e atyre viteve më parë,
me shumë gjëra, tashmë, ndryshuar.

Mure të heshtura, dyer të ngrira,
kurrë s’kisha parë dritare pa sy.
Mbi kokë më rri një qiell i mpirë
dhe ajri më duket i veshur në gri.

Çuditërisht, m’u duk e ftohtë, e ftohtë.
Vetëtimat feksnin, bubullimat gjëmonin.
Litarë uji vareshin qiellit nga retë,
qyngjet të fryra, qosheve rënkonin.

Për dreq, ikën dritat, u bë errësirë.
U trullosa fare, e kisha harruar.
– Vallë, vazhdojnë të ikin përsëri!?
– pyeta veten i tëri pezmatuar.

I harrova dritat dhe në vete erdha.
Ishte nëna, e vetme tek më priste.
“Eh! – tunda kokën e me vete thashë.
E pakët frymë e saj, të ngrohë kët’ shtëpi.”

Teksa më puthi e më përqafoi,
më mbushi plot me ngrohtësi.
Ndieva që nëna m’u bë zjarr magjik
në të ftohtën, të braktisurën shtëpi.

ROBERT SHKURTI

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com