Sot, klientët e tokës janë dehur me shi – Gentjan Hasanas
Sot, klientët e tokës
janë dehur me shi,
pinë sikur s’ka të nesërme.
Dikush,
ka mbushur pjatën e verdhë me gjethe nëntori.
Pleqtë afrohen afër tymit të vatrës,
që mundohet të gjejë retë
dhe porosisin barin e ndryshkur.
Melankolia, kamarieria e re, memece
me maskë myshku në buzë.
Rreth e rrotull në lagje,
janë hapur ”shkollat e gjuhëve të syve”
për të gjithë ata, që ishin ngelës
”me provime sysh në vjeshtë”.
Poshtë kuvertës me trëndafila të murrme,
kujdeset ninulla legjendare e maçokut
të më verë në gjumë.
Porosis tek kamarieria dhe një kupë shi
(ndoshta tani, të desha më fort…)
Motra ime melankolia,
është më e vogël se unë.
Ajo, lindi kur isha në 8-vjeçare.
Gjithmonë dimri thoshte:
”Ngjani nga sytë kaq shumë!”
Gentjan Hasanas