August 3, 2024

Shpalljes së pavarësisë të Kosovës – Martin Çuni

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Një urim me vargje modeste!

Martin Çuni

Shpalljes së pavarësisë të Kosovës

Sonte jam larg fishekzjarreve të zemrës time,
Larg lotëve të gëzimit të miqëve të mi në Atdhe
Afër dhembjeve, që për jetë të jetëve nuk bëhen harrim.

Sonte nuk do ti hap portat e rrugëtimeve të gjata
Të dal nëpër Botë, as të shtegëtoj Bjeshkëve të Nemuna,
Nëna nuk do të më përcjellë, as nuk do të më presë, si prore
Fjalët dhe uratat e saja do t
i bëhen udhë shpirtit:
“Biro, t`u dhashtë e mbara ty e shqiptarëve!
Paqe pastë gjithmonë për ty e për shqiptarët!”
Ajo me lotë gëzimi në sy do të shikojë qiellin
Edhe fishekzjarret, që fluturojnë si flakë kuçedre
Prishtinës dhe Kosovës i bëhen sihariq.

Pastaj nuk do të shohim karvanin e ndarjeve, as
Gëzimin, hidhërimin dhe mallin e përflakur nëpër mote,
Që lumenjtë e lotëve nuk ua shuan dot etjen
Bërë si toka: djegur e përvëluar në shkretëtirën e kësaj Bote
Do të gërshëtohen, shliren e përshliren përvujtërisht, sot
Mbuluar me plafin e hirit të heshtjes në tumulat e lashta Ilire
Si dhe nëpër varre të të parëve tanë në mesjetën e përzymtuar.

Pas shumë shekujve të shungulluar të Shqipërisë
Nëpër bjeshkët e valëve të detrave tanë
Nëpër kaltrinë e Liqeneve shqiptare!
Nëpër plisat tisëborë të Malit Sharr.
Shqiptarët nuk do të skuqin më xhamadanin e bardhë.
Do të fluturojnë këmishat sonte,
Do të valëviten shamitë me plisa.
Shqiptarët do të shtegtojnë me meste të bardha,
Shqiptarët do të flakërojnë si rreze mes lisash!

Me zemërbardhësi dyert i hapën ditën edhe natën,
Që të presin nevojtarët e skamnorët e huaj, tregtarë,
Dhe tu hyjnë në gji nëpër shekuj me radhë:
Të mos mardhin nga acari i dimrave,
Të mos përvëloheshin nga vapa e verës!
Pastaj: ngadalë e me buzëqeshje në cep buze
Me smirën terratisëse në shpirtin e pashpirt,
Zemrat jofisnike nxinin gjithë bardhësinë,
Që Zoti ta falë kishtë dijtë ndër shqiptarë:
Ua nxinë jetën e ua ndalën rritën dhe dritën;
Kurrë nuk arritën t
ua nxinin shpirtin,
Perlë të bardhë ta mbajnë lart arritën,
Si bardhësi kurorë malesh e si rreze Dielli!
E u tkurrën, e u tkurrën shqiptarët, pa fund
Çdo pëllëmbë toke, deti, liqeni e lumi u skuq
Çdo skutë u çelikos me eshtra shqiptarësh
Edhe shpirti mbeti i pastër si një ëndërr e bardhë.

Edhe iu shpifën e çka s´ju thanë
E ua shanë anë e mbanë Evropës,
Tokën e tyre të madhe e të bukur,
Kullat e tyre të vogëla mbushur krenari,
Mirësinë e tyre të padjallëzuar.
Ua shanë bujarinë e mikpritjen,
Ua përnatën jetën në pranga e leqe
Kazamateve me themele ligësie.
Ua përnatën me shpata e dyfekë gjithfarë
Me zjarr e me hekur i nëpërkëmbën!
Me intriga, përçmime e ligësi të papara
Ua qëndisën gjithë të këqiat dhe shpifjet
Vrragët e torturës në kurëm e në shpirt.
Ua rrotulluan edhe pllakat e varrezave të të parëve
Ua lëkundën themelet e trojeve mijëravjeçarë
Ikonat e idhujve ua përlyen me blozë harrimi
Mbi themele lartuan muret e ndëshkimit
Stolisur më së miri me shenja çorodie.

Shqiptarët i kryqëzuan sikurse edhe profetin
I ngulën për së gjalli nëpë hunj marrie
I tkurrën e i ndrydhën si ankthi
Që t´u shuhej fryma
Që t´u humbte emri.
T´ua humbnin farën
Që as sot dhe as nesër
Të mos ishin shqiptarë!

Lotët e dhëmbjes po më rridhnin lumë
Atje maje Pashtrikut, ku s´m´i shihte kush.
Atje lartë kujtoja Albanët e bardhë
Albanët e mi si borë e Maleve të Sharrit,
Nëpër kthetra të barbarëve objekt orgjishë!

Qytete të lashta mijëra vjeçare,
Me dyer të bukura e të hapura mirësie
Me zemra të mbruajtura nga bardhësia e Diellit!

Sot bien fishekzjarre nëpër ato rrugë
Të lara me gjak rinor e të shtruara me brenga,
Të mbuluara me djem e me vasha Shqipërie
Njomur me lotë hyjnor Nënë Terezash.

O Zot a e vure re këtë herë:
Me emrin tënd në gojë
Me smirën mbjellur në shpirt,
Deshtën të na shuanin pa gjurmë
Deshtën të na shkulnin me rrënjë,
Nga kjo tokë Perëndie,
Si farën e ligë, si therrë e si egjër!

Po s´ia dolën dot, Zoti s´e ka dhënë,
E rishtas i deshtëm dhe i falëm ata;
E harruam ferrin e tyre për ne!
Si gjithmonë u besuam me hir
Atyre, që hiqen, se besojnë në Zot!
Besën tonë ua dhamë dhe të pabesëve,
Prej të cilëve trupit tonë rishtazi e ngahershëm,
Stërmundimet e Krishtit përjetuam serish!

Matëm me kutin e shpirtit tonë
Me shpresë se do të kuptojnë
Se ne ishim figurë njeriu
Gjurmë të mirësisë
Të shpirtit e të hyut.

Serish u hakmorën për mirësinë tonë ndaj tyre
Rishtas ramë në të shkretët gjunjë;
I mbushen me ne gropat me kufoma
Me eshtrat e gjenit tonë i mbushën:
Një herë, dy herë, tre herë…
Dyqind vjet, pesëqind vjet, epokë,
Dreq, Sulltan e mbret…
Perëndi, nuk qendrojnë të qetë,
Forma të reja kanë për të gjetë!

O Zot, na mbush mend një herë e mirë
Sado që është vonë, ke prore mëshirë,
Mbaje zgjatur drejt nesh dorën tënde të jetës
Të mbetemi ngaherë të besës, por, jo kundër vetes!

Dita e shpalljes së pavarësisë
Ennepetal-Gjermani 2008
( Kjo poezi u shpërbly në konkursin letrar të LSHAKSH në Gjermani.)

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com