Çonju Rilindas – Rrahim Billa
Çonju Rilindas
Çonju Rilindas , ju prej varrit çonju
Se shqiptarizmi , më duket se po vdes
Bashkë si dikur , si malet shtrëngonju
Se keni ca punëra , të lëna në mes
Çonju që të na sillni atdhetarizmin
Sepse sot , as që po e zë kush në gojë
Na ndizni në shpirt .. shqiptarizmin
Se fatet e kombit , sërish janë në lojë
Kur fatin tek dera , na e sjell historia
Shqiptarët të hutuar .. flejnë gjumë
Plagët t’ja mbyllnim , donte Shqipëria
Rrezikon të gjymtohet dhe më shumë
Ah!… ç’kohë që erdhi!…kohë tinzare
Për qentë , për modën – aq shumë flitet
Për atdhetarizmin , as nuk flitet fare
Ndërkohë që ujkonja , nis të përgatitet
Mirë për ujkonjën , ujku mjegull don
Ashtu siç e thotë dhe fjalë e vjetër
Një çast magjik pret , Shqipërinë copton
Të shkëpusë prej saj dhe një copë tjetër
Një ujkonjë tjetër , veriun kafshon
Pëveç gjithë asaj , çfarë ka kullufitur
Rast më të mirë , ujqëria nuk don
Fat që as qielli , s’do e kish zbritur
Qentë me njëri – tjetrin , kacafyten
Për ca kocka që duan të lëpijnë
Ndërkaq ujqërit , më shumë aviten
Copëra të tjera , duan të.përpijnë
Eh!… ç’kohë e turbullt , kohë e nxirë
Flitet për maçokë e për majmunë
Ca hije të zeza , nga dheu kanë mbirë
Si fantazmat…natën…janë në punë
E shtrenjta ime , Shqipëri e mjera
Gjithnjë brenda teje…gjënden ca hije
Lukuni ujqërish , të sulmon ngahera
Synimi i tyre… të të bëjnë fije – fije
Ngrihuni Rilindas , ju çfarë prisni
Aq shumë për ju , kombi ka nevojë Shqiptarizmin n’shpirt na e ndizni
Me fatet e kombit , t’mos bëhet lojë
Janar 2010
Rrahim Billa / Albania
Shk. nga libri ” Thërrime diamanti “