Heshtja (para) zgjedhore – Sevdail Hyseni
Satirike
Heshtja (para) zgjedhore
Lugina ka rënë n’heshtje zgjedhore,
Me disa premtime të lëna pas dore…
Të cilat përmbushen tani nëpër oda,
Ku vazhdon i fshehur pazari për vota!
Dy Listat shqiptare, po dalin në gara
Cila nga të dyja do të dal e para!
Për të siguruar ulëse n’Parlament
Atje ku problemet nuk zgjidhen me vjet!
Drejt Beogradit ku shkonin pa nda’
Baballarët tanë me sharrë në krah!
Për një gojë bukë i sprovonte jeta,
Dhe provokimi “Nema…tungatjeta!”
Po koha ka ndërruar s’është si më parë,
Parlamentit serb i duhen shqiptarë…
Bile dhe punëtorë me nevojë punësimi,
Deri n’Vojvodinë i pret integrimi!
Lugina po zbrazet ngadalë dhe sigurt,
Disa nga liderët i kanë shitur drutë!
Një këmbë n’Beograd, tjetrën n’Prishtinë,
Duke e zhgënjyer shpresën dhe rininë!
Liderucët tanë, nga zërat kritikë
Na janë bërë imunë, tepër elastikë!
Kërkojnë nga masa votën politike,
Edhe pse e shkelën Listën Unike!
Spica Metalike
(Karikatura marrë nga interneti)