“Bomba” zgjedhore – Sevdail Hyseni
Satirike
“BOMBA” ZGJEDHORE
Bomba në Strukar
Na doli me bisht,
Dikush po i fryn
Zjarrit qëllimisht!
Mjaft se na çmendën
Votimet në rresht,
– Nuk digjet jorgani
Vetëm për një plesht!
Nga zgjedhjet serike
Po na shkon vera…
Dhe aspak s’na vjen
E mira nga dera!
Lojërat pa kufij
Nuk i kap kalemi,
Edhe pse e dimë
Ku qëndron problemi!
T’ia vëmë shulin
Sa nuk është vonë,
Se nesër nuk dihet
Ç’na pjell në sezonë!
Urtia na mëson
Duke na këshilluar:
– Kush e sheh rrezikun
Është gjysmë i shpëtuar!
E ne po e shohim
Me dy sytë në ballë,
Dhe pa bërë hopa,
Kërcejmë nëpër shkallë!
Pa menduar mirë
Nganjëherë na kruhet,
E prekim arushën
Aty ku nuk duhet!
Prandaj edhe gjërat
Na shkojnë për dreq,
Në këtë botë mizore
Ka edhe më keq!