August 7, 2024
Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

MUR I GJALLË

Nëno
a gatuan ende ato bukë të mrekullueshme
si atëherë kur të gjithë ishim gjallë
a është po i njëjti Rahovec i bukur
që si amfiteatër antik dëshmon
për dramat e njerëzve që i shkroi jeta aty
me gjithë atë zjarr
me gjithë atë mall

A janë po të njëjtat rrugë pa Irfanin
pa gjithë ata të vrarë
ç’e shoh një shami të bardhë në kokën tënde
në mes gjithë asaj zije

Djersë të ftohta që rrëshqasin nëpër ballë
mund të imagjinoj
kafshojnë si krimba kohe
e ti s’mund ta këputësh kërthizën e hekurt
që të lidh me murin e dhembjes

A të vizitojnë të gjallët
a të vizitojnë të vdekurit nënoo
po babai si është
a fle mirë
kur nga maja e vetmisë sheh
tërë këtë shpërthim të ujërave të zeza

Sa herë ta thyen bukën nënoo
unë jam më i fortë
dhe një ditë do të kthehem
që të derdhim lot dhembjeje e gëzimi
nëse na mbetet ndonjë
dhe bukën do ta hamë
veç liria të mos na mbesë në fyt
nënoo

Autor, Xhevdet Bajraj

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com