August 11, 2024

Vallja e shenjtë e jetës – Rifat Ismaili

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

VALLJA E SHENJTË E JETËS

Muzgu, si plak me llullë ulet këmbëkryq
Në vatrën e prushtë të yjeve.
Gjethet e pemëve kërcejnë vallen e maskave
Duke iu fshehur erës…
Si balerina rendin ne ajër një tufë patash.
Mullarët e barit kapur përdore në valle si të dehur…
Pikon vesë kjo zemra ime ,
Qiellit lart duke veshtruar…
Në valle dhe unë perdore jam kapur me yjet!
Nga fushat e pyjet gjallojnë e gjëmojnë zërat..
Nga nëntoka, me vrik shpërthejnë farat e këngëve.
Por edhe ujqërit,lugetët,hijet,
Janë përndezur në klithje e harbime.
Zjarre të vogla kanë ndezur
E mes flakësh pa fre vërtiten…

Vigjilenca vjen e rritet…
Në të dy kampet armike.
Engjëj e demonë u përleshën mes tyre
Gjer në zbardhje të ditës.
Mëngjezi ngriti ndër duar,
Foshnjën e parë të dritës.
Dita lehonë e dërrmuar nga dhimbjet,
U shtri në tokë mbi një qilim të gjelbër.
Mua mu mbyllën sytë një çast,
U gjenda si dëshmitar midis dy botëve.
Të dyja më donin me ngulm
Dhe prej krahësh më tërhiqnin…
Rizgjimi i ëmbël me fytyrën e nënës
Duart më shkëputi nga vallja me yjet.
U gjenda i shtrirë në mes të dhomës
I ringjallur, i rinuar si dikur
Shpuar tejpërtej nga plumbat e dritës…

1- 11- 2019

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com