Luleshegë – Lumni Nimani
Luleshegë
Stinë e bardhë ishte në ikje
Pa filluar mirë kjo pranverë
Ëmbëlsisht u shfaqe o mike
Si luleshegë e me shumë erë.
Borë e bardhë e asaj dite
Kishte mbuluar cep më cep
Kur të pashë ty si yll drite
Shkëlqim natës e nur m’i jep.
M’u duk se bora u shkri fare
Dhe u gjelbërua e tërë natyra
Sybukura ime moj lozonjare
Të qeshte shpirti edhe fytyra.
Valët e jetës bëhen dhe dallgë
E dallgët kthehen edhe n’stuhi
Larg kur më je sillem vërdallë
Jam i trazuar e nuk gjej qetësi.
Ti m’i shton jetës shumë lumturi
Si n’kopshtin tim kur çelë jorgovan
Më falë atë buzëqeshje me mirësi
Se më ke shpirt dhe më ke xhan.
Me kajde e naze ma ke dashurinë
Me shije e hije qëndisë atë gjergjef
Do të jesh e imja për Perëndinë;
N’dash me hatër o n’dash me qef!
Lumni Nimani
23. 04. 2020.