Pranverë?! – Marjeta Shatro – Rrapaj
Pranverë?!
Pranverë që i fshehet vetes.
Prej qerpikëve të syve pranverorë
pikon vesa e ëndrrave të prillit
e rrjedh faqeve të trëndafilta të qershive të egra.
Njom buzët e etura prej natës
dehur prej puhizës së shpirtit,
e padukshmja shpërndan grimca misteri
e në ajër ndihet aromë lulesh.
Jeta në ekzaltim përtejreve
të qiellit të tejdukshëm shndërrohet
si stina që harbohet me drithërima
prej përkuljes së dritës mbi bukuri ëndërrore
e filizi i frymëzimit rritet mbi pllajat e pashkelura të mendimit,
nën ritmin e përjetimeve ndryshe
të përthithjes së formave të blerimit
për të dalë jashtë lëkurës ,
prej gjirit të butë të tokës
ku fryma e delirit për jetën bëhet muzë,
e brishtë pafundësisht e bukur
në krahët e pasionit hipnotik tjetërsohet
e sundon magjepsjen e heshtjes
si reflektim i ndjenjës së zjarrtë
nën shoqërinë e fjalëve të shpirtit.
Marjeta Shatro Rrapaj