Për ata në parajsë – Xhevdet Bajraj
Sot, me 30 prill, mbushen 21 vjet nga dita kur më deportuan nga Kosova
PËR ATA NË PARAJSË
Duhet guxim i madh për të jetuar në kujtesën e të tjerëve
Miku im i shtrenjtë
Dhembjen e kam këmishë të përditshme
Me cigare të lira në xhepin e saj
Dhe një biletë autobusi që kurrë nuk e shfrytëzova
Për në Bellacërkë
Duhet guxim i madh të jetosh nëpër ëndrrat e të tjerëve
Miku im i vrarë
Unë shpesh dehem me raki e dhembje
Kafeneve të Mexico City-t
Dhe fle si i vdekur
Mbi ujërat e zeza të poezisë që i shkruan jeta
Kosova çeli si vezë shqiponje
Pa ty
Liria erdhi si fëmijë me vaj e me qyrra
Dhe ende pret pranë nevojtores së historisë
Të përfundojë lufta mes krimbave për kolltuqet
e mbushura me pasthirrmat e atyre që nuk janë më
“Blues në qiellin e indianëve”, Brezi 9, Tetovë, 2003