August 7, 2024

Poemë për vargjet e mia! – Bajrush Zeka

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

POEMË PËR VARGJET E MIA!

Nga jeni nisur, vargjet e mia!
Drejt zjarrit, sigurisht.
Po ju në zjarr ishit,
Çfarë e doni zjarrin e dytë?
– Vetëm nga zjarri jetojmë ne,
Më flisni me gjuhën e flakës sot,
Me vetëtimat që lëshojnë rimat e mia
Zgavelleve të tokës,
Tek kërkojnë minerale jete,
Tretur nëpër ato horizonte pa fund.

Ku jeni nisur, vargjet e mia!
Ku dreqin po shkoni?
Udhët prej dheut keni marrë,
Me veten i çoni në qiell,
Atje ku vetëm vdekja arrin,
Ku ashti e pena kryqojnë poetin,
Ku kënga e përflakur flakë do.

Ngado të shkoni,
Keni dhe me vete,
Srajcat mbushur plot,
Si bukën çobanët për stuhitë e erërave,
Të hanë para festës së bishave,
Botës së dallëdisur,
Që me male e me male e kanë shtruar.

Ku jeni nisur në ket mot karantine,
O ju zjarret e mia!
Ku po shkoni pa mua?
– Revoluvionet na presin,
Më thoni me shtjellat e tymit,
Pa ditur ku i keni hapat,
Që ua mbatha me opinga të mia,
E vetë edhe tash ec zbathur,
Shekujve të vrarë nga njeriu që u bë plumb,
Ashtu si ishte bërë ujk,
Dikur moti,
Kur bukë e djathë e zemër hante jeta,
Edhe në të premtat e zeza.

Ku? Ku po shkoni, vargjet e mia!
Të veshur ushtarë, hekur e avionë çdo varg,
Të ndani botën si strofat e tu,
Zjarr ngrohjes globale t’i çoni,
Një kod COVID-it 19!

Me grusht të diktatorit botën në heshtë ta mbërtheni,
Stuhive që nuk merren vesh, dialog e paqe t’u çoni,
Supersonikëve më shumë barut të thatë,
Ju me opinga Piroti,
Revolucionet e mia në muzgun e Coronës,
Ju viruset e mia me mushkëri të copëtuara,
Copë-copë lugjeve të vdekjes,
Stinëve lesh arapi,
Që fijet e barit i kanë lidhur nyjë,
Si lidhin magjitë shtrigat e natës,
Ju vargjet e mia të krisura,
Që rrapëlloni fjalët para dyerve të parajsës,
Në ferr zbritni si zbresin avionët në pistë,
As aty njerëz nuk gjeni,
As eshtra njerëzorë kryq të bëni,
Ca si pluhur ua zë frymën,
Si kopertinat në shtypin e vendlindjes.

Pse tash heshtni?
Pse nuk mihni zjarrin si dikur?
Pse nxirrni rrënjët tuaja nga dheu?
Pse lisin e Arës së Gjatë e ngulni me majë poshtë,
Gjukun e mbledhur, si thoshte Luarasi,
E shkepni nëpër rërë,
Fluturave u preni krahët,
Zogjve cicërimat u nxjerrni nga fyti,
E ditën e ngjyrosni me natë.
Pse.

E di që e dini se kjo kryengritje kryet po ua ha,
Si t’u ketë rënë nëma e Bjeshkëve të Nëmuna,
A poeti ju ka faj që ju polli agimeve të bardha?
– Edhe poeti prej njeriut është bërë, bie gjëma juve,
Me grahmat e fundit në fyt,
Me djersë të vdekjes lagur qull,
Po shpirt nuk jepni,
Aty në Kodër të Vorreve,
Të rëna keq përmbys,
Jargë zjarri e jargë dheu
Globin tuaj vizatojnë,
E janë duart tuaja që ju kthejnë mbarë,
Krejt sipas zakonit,
Tutje ca hapa ikin,
Janë hapat tuaja nëpër dhe, nëpër zjarr,
Që u lanë trupin të varur në rima, në rrokje fjalësh,
Brenda kopertinave me tituj zogjsh!
Bajrush Zeka

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com