Vargëzuar rraqet – Xheladin A. Çitaku
VARGËZUAR RRAQET
*
Vërshojnë motivet, kaplojnë njerëzinë
zbrazen rrëmbyeshëm, pafre gjithandej
frymëzime të pashije dhunojnë poezinë
shfryrë nëpër vargëzime, andej e këtej.
*
Llafosjen e lëshojmë azat nëpër vargje
dëshirën hedhim në ca grumbuj fjalësh
me mendjen të rritur, fjalorin plot rraqe
stivojmë aramara, në pafundësi radhësh.
Rrugëve të injorancës, revan kalërojmë
shtigjeve të bërbëlitjes, zijosim morfema
vend e pa vend imagjinatën ngatërrojmë
sajojmë asgjënë, sikur shtjellojmë ca tema.
*
Muzave të brishta, frymëmarrjen rëndojmë
se roitja e shpirtit nuk di t`i gjejë shtigjet
teksa gënjejmë veten, sikur art krijojmë
mendja e moçalosur nuk i kap dot brigjet.
*
Kot, tutje e tëhu, ne lëshojmë ndonjë zë,
nga qëndistarë vargjesh qiej e dete çahen
ne mashtrojmë kot veten se s`bëjmë asnjë gjë
shkurrat e ferrishtat me rrap dot nuk hahen.
xheçi.
05.04.2020