Atdheu – Naim Frashëri
Atdheu
Naim Frashëri
O Atdhe ! Më je i dashur sa më s’ka!
Më je nënë, më je motër e vëlla.
Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,
je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhe.
Ty përditë nëna ime të ka parë,
dheu yt në fund atë e pati marrë.
Numëruar t’i pat lulet syri i saj,
tek ti lindi, tek ti vdiq ajo pastaj.
Ti ke parë gjysh-stërgjyshërit e mi,
dhe eshtrat e tyre tretur i ke ti.
O shpirt; teje ata kurrë s’qenë ndarë,
pranë teje patën qeshur, patën qarë.
Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë,
nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë.
Begatoje, o imzot, ti këtë vend!
Falu njerëzve mbrothësi e falu shend!
Hi u bëfshin kurdoherë; armiqtë e tij!
Gaz përjetë paçin zotërit e tij!
I begatë, i lulëzuar qoftë ai,
Një të ardhme pastë plot me lumturi!