Brumi – Abdi Përgjegja
Brumi
Nuk jam brumë prej plasteline,
kushdo më takon t’më jap formë. !
Jam rrit e kálit me klimë Selite,
livadheve të Kmashit e deri n’Kunorë !
Në ahe e pisha shkruajta së pari,
kur ende nuk njihja shkrim e këndim.
Me rritjen shtatit mu shtua malli,
për të gjitha trevat e vendit tim.
Kur lexova Migjenin njoha mjerimin,
lexova Poradecin njoha dashninë.
Kur lexova Naimin njoha mërgimin,
me Fishtën e Mjedën Atdhetarinë.
Ndaj ju them s’jam prej plasteline,
asnjë i gjallë s’mund t’më japë formë.
Eshtrat e mija janë Asht Selite,
flokët viteve u bënë plis i bardhë.
Zemrën prej natyrës,
muskul i fortë,
emocionet ruan si kala me bedena.
Gardian i hekurt shpirti im i butë,
kush hyri njëherë mbeti
brenda !
Miku Artit
Shkodër.13.05.’20