Kënga e lirisë – Lumni Nimani
Kënga e lirisë
Bisha t’egra herët jan nisë
Policë, ushtri, makineri vrastare
Për të shuar dritën e lirisë
N’Drenicë, n’atë krenari shqiptare.
Bacë Shabani në ball t’oxhakut
Ulë këmkryq mustakun dredh
I biri Ademi e ngjeshë koburën
E nga frangjitë shikimin hedh.
Çka me pa, plot korba të zi
Në të katër anët janë rrethue
Me tanke, topa e artileri
E për s’gjalli s’janë dorëzue.
Qou or vëlla! – Hamzës ja ban,
Sot ka ardhë e bardha ditë.
Me mamzerre e jatagan
Kosovës ftyrën me ja zdritë.
Bacë Ademi ai shqipe mali,
Qet koburen në njërin sy.
Me shtatë zemra Zoti e fali
Holl po qet mbi armiqtë e zi.
Hamëz trimi n’kam na u que
Gjoksi i tij sa një ortek bore
Ah moj nanë tha jemi rrethue
Na i bjen fishektë me rrethatore.
Nanë Zahidja ajo bijë shqiptari
Që djepi i saj sall trima rriti
S’e lëshojmë tokën që na e la i pari
Lum për djemtë e mi lart bërtiti.
Moj Shqypni mos thuaj mbarova
Ai Hamëz trimi n’kangë thërret
N’kam asht que sot tanë Kosova…
Sa herë qet ka një shka po e vret.
Luftë e rreptë aty u zhvillue
Që s’mbahet mend në histori
Familja Jashari për liri u flijue
Kundër një shteti me polici e ushtri.
Se liria me gjak fitohet
Këtë e di plak dhe i ri
Me punë e djersë Atdheu ndërtohet
Për Dardaninë në Shqipëri.
Krenarinë Kombit lart ja ngriti
N’luftë kundër hordhisë barbare
Adem Jashari, Zahir Pajaziti,
Bashkë me Ushtrinë çlirimtare!
Ju heronjë të Kombit mbarë
Që dhat jetën për liri
Ju ka në zemër çdo shqiptar
Ju kujton me mall dhe dashuri!
Lumni Nimani
21. 05. 2020.
Gjermani