August 4, 2024

Koha për ta kërkuar atë pjesë zemre troket – Sabit Rustemi

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Premierë poetike

KOHA PËR TA KËRKUAR ATË PJESË ZEMRE TROKET

Hyra në ditën që ende s’ka zbardhur
përmes një koridori me luedritë
për ta pirë një verë të kuqe
i vetëm në prehërin e kësaj nate

Dy portat e mia me dritë
hapur po i lë derisa të mbyllen vetë
se kllapish mund të më përsëritën
lajmet që i anashkalova
me ato fytyura të ajura liderësh
a fjalësh të helmuara
prej gjuhëve me afate të ikura

Ti
e shtrydhur prej ditës si ajo pjesë limoni
në fund gote
shkove për t’i rehatuar eshtrat e lodhura
galerive të boshatisura
ku enden koti
sall ndjenjat e mia

Ç’ iu dhash kaq lehtas dhe unë
stinës që ndërron ngjyrë e nuk shlyen moshë
dhe vjen e ikën kur të dojë

Më grishi ajo pjesë e pajetuar jete
përmes një dridhjeje zemre
kur orës në mur iu rralluan tik – taket
e gjelat e rinj ende nuk u dëgjuan

Mbes i mbyllur pjesës së pashkelur të kësaj bote
duke e kërkuar pamjen e të dashurës
që s’di se si më harroi

Nëpër pluhurin e shtresuar të mungesave
gjurmë të ardhjes nuk shoh

Koha për ta kërkuar atë pjesë zemre troket

( 31 maj 2020 )

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com