September 15, 2026
Majlinda Nana
Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Mall e Burrë

Ndizet syri nëpër flakë e bëhet diell,
ngrihet dita, preket toka, puthaqiell,
ditë e pastër, fjalë e mirë, në rrugë e buzë,
çast i paqtë, nur burri, bëhet muzë,
ndjenjë-tërkuzë.

Orë, Zana, shtojzovalle, hedhin valle,
Orë e mirë, Zanë e bukur, nëpër malle,
çahet, çohet, lartet, dimër, verë,
Zanë e ëmbël, n’duart tua, si përherë,
në pranverë.

Janë dy zemra, janë dy lule, janë dy dritë,
preken, ngjizen, mblidhen, rriten, nëpër ditë,
fjalëmjaltë, fjalëvrer, fjalëprerë, si në terr,
fjalëpaanë, nëpër shtigje, herë si tmerr,
jo përherë.

Zbrazesh, zihesh, derdhesh, hahesh, si rrufe,
zë i egër, zë i butë, i pafre,
dorë e dashur, afsh i zjarrtë, më lë pa mend,
bardhë e zi, tretur, ngjitur, gjoksit tënd,
në cdo vend.

Eci, zvarrem, ngjitem, shtrihem nëpër kohë,
mot i vjetër, mot i ikur, mot i ardhur, ty të shoh,
shfaqem, dukem, zhdukem-trupit tënd-në cdo kat,
buzëpranverë, nëpër rozë, nëpër erë, si lofatë,
më je fat!

Ishe botë, m’u bëre Botë, në këtë botë,
s’ishe imi, ishim bosh e tani plot,
ishe ajër, ishe ves’, m’u bëre sy,
ishe djalë, u poqe-burrë, m’u shfaqe hy’
s’bëj dot pa ty!
“Lulet e egra”

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com