Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

NË SE…

Në se ti, e dashur, do të bëheshe era
unë me siguri do të vrapoja,
që të të ndjeja më mirë;
tek buzët, në gjoks
dhe brenda në mushkri.

Në se bëhesh shi,
nuk do ta hapja kurrë çadrën.

Në se bëhesh lumi
në të do të zhytesha
edhe në mes të janarit,
për t’i thënë dimrit se me ty
nuk kam të ftohtë.

Në se bëhesh një fushë
dua të vdes si bujk
duke të mbjellë me pëshpërima.

Në se bëhesh letër e bardhë
do të të shkruaj me pëllëmbët e duarve
nga të dyja anët, pa pika, pa presje.

Në u bëfsh një kokërr pjeshke e pjekur
me pushin e saj do përqafohem
dhe bërthamën e saj të kuqe
do e bëj medalion.

Në u bëfsh verë e kuqe
do të të pi gllënjkë pas gllënjke
duke të kujtuar të puthurat

Në u bëfsh shtëpia ime
nuk kam nevojë për dritën
dhe oxhakun se ndez.

Dhe po u bëre një shtrat
Do shtrihem në të
Aty do të vdes…

PETRIT RUKA

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com