Mall… – Lola Shehi
MALL…
Më qenkan arratisur gërmat këtë natë
Jetime më mbetën fjalët
Kujtimet treten e shkrumbosen ndër gishta
Si breg i humbur braktisur nga valët
Më qenkan fshehur të gjitha shkronjat
U zemëruan , nuk di ç`patën
Me yjet e ndezur thanë u dashuruan
Si pus të errët ma lanë natën…
Kaq keq i paskam torturuar?
Që rrinë pas shpine e s`më dalin përballë?
Grindem me veten si det i trazuar
Ngrihem dallgë e çmendur përmbi valë.
Mundohem të kuptoj ku i kam lënduar
Apo kjo natë mëkatare në epshe i grish
Me ç`përralla po i ve në gjumë të gjorat
Që m`i merr nga gjiri e s`mi kthen sërish?
Mbi tastierë të penduara kthehen tre gërma
Ç`të shkruaj me to, jam tepër në hall
Nën qiellin e grisur paska dalë hëna
Mbi cipën e saj, shkrova…mall
Lola Shehi Çela
