Ti më prit nënë – Behare Daja Kasa
Nga: Behare Daja Kasa
Ti më prit nënë
Ti më prit nënë,
Si çdo muaj më prit,
ja, dil atje lart mbi kodër,
atje ku tashmë rri e sodit,
por në ditët që unë vij,
ngrihu,
krahëhapur më prit,
e merrmi erë flokut me onde.
petlat e luleve që do të të sjell,
të dyja do t’i këputim,
një e nga një,
e në fund veç degëzat bigë
do na ngelin në duar.
buzëqeshin petlat
nën këmbët tona,
e tek i shohim,
buzëqeshim edhe ne,
qeshim me shpirt.
Ti më prit nënë,
kam ditën e ardhjes sot,
thuamë, ç’të të sjell,
se tani nuk harroj të të pyes,
po ti,
prapë do më thuash:
“asgjë nuk dua, moj bijë, asgjë,
dua veç të të shoh ty,
të të marr erë,
të t’i puth ata jeshilët sy,
e ta ndjej me shpirt
që je mirë”.
Eh, nënë,
sot kam ditën të vij tek ti,
por ti nuk je,
ty nuk të shoh askund,
veç të ndjej gjithkund.
… ashtu siç ndjen bija nënën,
dashuri shpirtrash, pafund…