Babadimri… – Sevdail Hyseni

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Satirike

BABADIMRI…

Viti plak, o Vit i Ri
Kurrë s’u patëm n’terezi,
Njëri shkon xhepat rrotë
Tjetri vjen me thesin plot!

Shkojnë e vijnë sikur era
Sa për të bërë “selfi” te dera,
Pak dhurata, shumë urime
E çojnë jetën me premtime!

Dalin jashtë e marrim dhenë
U dhemb shpirti për mëmëdhe’në!
Me hajdutë e spiunë në çdo anë
E skapitën krejt dynjanë!

Këta që mbeten n’vatrat tona
Seç u ngopën me të thëna,
Si n’pushtet, si n’politikë
S’mbahet shpirti n’retorikë!

Gjatë kësaj kohe pandemie
S’mbeten pika lumturie,
Kërcejnë çmimet sa më lart
N’mungesë rryme agregat!

Nëse zgjat kjo krizë dhe pak
Do t’na lidhen zorrët në bark,
Si në kohë të madhit Naim
N’dritë qiriu nxinim mësim!

Ikin vitet e s’duken fare
Për t’na lënë xhepat pa pare,
Ndaj dhe ne t’ikim në shpejtësi
Drejt Merkelit n’Gjermani!

Mjaft me vitet pandemike
Dhe dhuratat simbolike…
Që i blejnë rrallë e tek
Te “gjithçka” për një lek!

Babadimrit i bëni t’fala
Këtu te ne nuk shkon fjala,
Veç paraja qoftë me nder
Që na bënë dimrin verë!

Krejt në fund o Vit i Ri
Mirë se vjen në shqiptari,
Me atë thesin bosh në duar
Për shumë vjet qofsh gëzuar!

Spica Metalike, 31.12.2021
(Karikatura marrë nga interneti)

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com