Na falni o dëshmorë – Sylejman Qyqalla
Sugjeruar nga Xheva Salihaj
NA FALNI,O DËSHMORË
Na falni,o dëshmorë,që fort na zuri gjumi
e gjakun tuaj e përbuzëm,fare e harruam;
na falni,që Kosovën sot po e merr lumi
e në emrin tuaj,vodhëm,me hile u pasuruam!
Na falni,o dëshmorë… dhe dheun jua tundim,
me një flamur dreqi,që s’i ngjan askujt!
Na falni që Atdheun po e kafshojmë ku të mundim,
e tradhtinë tonë-jo ju-po s’e heqin as buajt!
Na falni,o dëshmorë-me turp po jua them,
(Gjumin ma prishi gjëma juaj në këtë agim!),
na falni,që leku mendjen seç na e bëri ujem…
të parët tanë s’i lanë kësi turpi brezit tim!
Na fal Xhevë… Antigonë…Tahir…na fal Tiranë,
na fal,Dukagjin,kullë e Adem Jasharit!
Na fal për ca djem kopila,që linde,moj nanë-
-e harruan Gjergjin-amanetin e të parit!
Na falni,o dëshmorë,që mbetëm si pulat në mjegull;
në udhëkryq na lanë shokët tuaj,që i besuam!
Pandehëm se ishin si ju dhe jo kështu, zemërlepur…
për njerkën ,nënën që na dha gji…e harruam!
Na falni,dëshmorë…jo,jo-kurrë mas na e bëni hallall;
ka shumë shekuj,plagët me gjak,kurrë s’na janë tharë!
Qajnë shqiponjat vajza,që për Atdhe ranë në mal…
mos na falni kurrë,që shkelim flamurin e rrezës së parë!
Na falni…për heshtjen tonë,neve që bëjmë sehir…
na falni…ndoshta vjen një ditë më e mirë!
Na falni,që Atdheun po e hamë pak e ngapak…
ne po flemë…ndoshta gjaku juaj do të marrë hak!
Nga Sylejman Qyqalla