Vargu im – Ildije Xhemali
104 VARGU IM.
E re s’jam dhe forcën s’e kam
Gjithçka të shtrembët të ndreq
Çdo gur të lëviz, vendosur keq
Të thërras fort: Ç’bëni o njerëz ?!
Vargun e dua lule për vogëlushe
Kur prindërit përqafon e gëzon
E dua zjarr për t’rinjtë dashuruar
Besnikëri për çiftet e bashkuar.
E dua shlodhje për djersën pikuar
E dua qetim për zemrën lënduar
E dua forcë kush ngjit të përpjetën
Dorën t’i zgjas kush merr tatëpjetën.
Vargu im bastun për pleqërinë
Kurajo, ngrohtësi për dobësinë
Vargu im shërim për lëngatë
Dor’ e ngrohtë për nënën e ngratë.
Vargu im dhe shlodhje për mua
Grindemi kur “s’çel” si unë e dua
Vargu im shkruhet për njerinë
Shumë larg, me fallco bukurinë.
Dhjetor 2020
Përmbledhje me poezi “Gjelbërimi i akullit “
