August 3, 2024

Me puthje do ia bëjmë funeralin tradhtisë – Safet Hyseni

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Me puthje do ia bëjmë funeralin tradhtisë

Liri a je aty, aty në të bukurën Dardani
Në këtë stinë me heshtje e veshur
Mos të kanë mërzit që s’dukesh Ti
Mbaj në gji pëllumbat, të dua të qeshur

Eja me lule aty ku flenë ëndrra fëmijësh
T’i puthim Lapidarët që me Flamur ranë
Pëllumbat me lule të prisnin, dua ta dish
Erdhe e stolisur me gjak, por s’të panë

Mos je hidhërua kur mortja flet me gojë
Nëpër dreka e darka ofshamën të ndjej
Është kohë e ligë dhe kjo do shkojë
Por gjurmët e fëlliqura koha s’do i shlyej

Në cep të syrit lotin e lagur dhe tharë
Ah! S’të shohë të veshur me pranverë
Betimi iku u fsheh nëpër lapidarë
U tremb si Shënë Naumi që iku njëherë

Nuk dua të ndezësh kurrë qirinjtë e shpresës
Rri e qetë se do t’i kthehet nënës Konstadini
Është i lidh fortë me urtësinë e Kullën e Besës
Në aromën e dheut t’Atdheut është betuar trimi

Po kthehet Liri, po kthehet bashkë me nuse
Të pa duke puthur pëllumbat përlyer me gjak
U tmerrua kur falën male, lisa, brigje e puse
Do vijë e dashur do vijë dhe nusja pa duvak

Kur erdhe mendova se e varrosëm tradhtinë
Me dritë në sy, shpirtbardhë e diell në zemër
Të pritëm me lot, dhimbje e gëzim fëmijësh
Me ngjyrë lulëkuqesh ta qëndisëm atë emër

Në prehrin tënd përkundim fëmijë e sytë lotojnë
Në shpirtin tënd jetojnë ëndrrat e bardhësisë
Në gjoksin tënd plagë vajzash e nusesh kullojnë
Me puthje do ia bëjmë funeralin tradhtisë

Nuk dua të ndezësh kurrë qirinjtë e shpresës
Rri e qetë se do t’i kthehet nënës Konstadini
Është i lidh fortë me urtësinë e Kullën e Besës
Në aromën e dheut t’Atdheut është betuar trimi.

Safet Hyseni

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com