August 7, 2024

Një lumë këngësh(Kushtuar Artistit të Kombit – Sali Mani) – Lumni Nimani

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Një lumë këngësh
(Kushtuar Artistit të Kombit – Sali Mani)

Një lumë këngësh i rrodhi në zemër
Si gurra në kroje dhe i kthjelltë si loti
Ai burrë Arbërie ka vetëm një emër…
Na mungon zëri i tij, s’ndëgjohet qëmoti.

Për të ka mall, e mira e bregut t’Cemit
Ja lëshon një za, t’mirës nga Gjakova:
A thua ku është vallë, ai bylbyli i gemit?
Askund nuk e gjej, mal me mal kërkova…

Kur pati dalë njëherë e bardha verë
Kosovës martire kush nder i bani
Një bylbyl nga Shkodra me shokë të tjerë
Vet Artisti i Kombit, vëlla Sali Mani.

Këngën më të bukur kush i pari e nisi?
Me dashuri e dhembje për tokën e ndarë
Ai me shpirtin e tij, më të bardhë se plisi
Kur erdhi n’Kosovë për herën e parë…

Nëpër Shkodër thoshte kemi bredhë
Një tufë këngësh për ty me i mbledhë
Si një buqetë lulesh përplot me erë
Që kurrë nuk do të vyshken, asnjëherë.

Sa festë e madhe në Kosovën time
Na erdhën vëllezërit artistë nga Shkodra
Hej o mirë se t’gjejmë Kosova trime,
Ja thot Sali Mani jehon mali e kodra.

Sa bukur ia shpaloste faqet historisë
Për heronjtë e Kombit emër për emër
Me atë zë të ëmbël në tela t’çiftelisë.
Kënga e tij do mbetet, kurdoherë në zemër.

Kush kaq mirë t’këndoi, me aq dashuri?
Kush ta rriti nderin; kush ta ngriti namin?
– Vëllai jonë Kosovë, nga nëna Shqipëri,
përjetë me dashuri, kujtojmë Sali Manin.

Lumni Nimani
22. 05. 2020.
Gjermani

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com