Harlisje ëndërrimesh – Xheladin A. Çitaku
HARLISJE ËNDRRIMESH
*
Mendimet vërdallisen në kohë e hapësirë
kujtojnë ditëverën e përcëllimat në diell
dhe rendin fluturimthi, me hirë e pa hirë
tek plandosen në tokë dhe ngjiten në qiell.
*
Nga guvat e shpirtit, ndjenjat arratisen
marrin dhenë shfrenuar në krah ëndërrimi
nga shenjtëri tundimi, me dehje namatisen
shijojnë përkëdhelinë mikluar nga vegimi.
*
Petaleve të lules, zënë vend ndër pikëla vese
brishtësinë e futurës e pikturojnë me ngjyra
dhe n`afshin që përshkon ndër telaja shprese
e portretojnë mahnitjen tek i shëndritë fytyra.
*
Në tablonë e ëndrrës, kur vijëzojnë pasionin
përhumben, deliresh në melodinë e dehjes
kur intonojnë ndër tinguj ëndjen e vizionin
hidhen në ekstazë, ndër universe të prehjes.
*
Ndjesitë e harlisura, jeta nuk i bënë zap
as nuk i ndrynë dot në kafazin e molisjes
sikur feniksi nga hiri, do t`ringjallen prap
se nuk njohin kohët as rrugët e braktisjes.
xheç.
24.02.2020