Mos piva ? – Lola Shehi
LOLA SHEHI
MOS PIVA?
Do t`i deh vargjet,
Do t`i dënoj,
Të gjitha dollitë do i detyroj t`i kthejnë me fund
Derisa t`iu merret mendja
Të mos jenë në gjëndje të numërojnë rrokjet
T`i shkelin të gjitha rregullat
Të flirtojnë me metaforat në mesnatë
Të puthen me rimat e paputhura
Pa u turpëruar aspak!
Të dashurat t`i ndërrojnë sa herë të duan
Si mbreti gratë
Pa pikë pendimi,
Pa frikë se do t`i quajnë tradhëtarë
Se do t`i quajnë të poshtër,
Maskarenj,
Imoralë
Për një natë, të bëhen idiferentë ndaj shpirtrave të vrarë
Të paktën për një natë të bëhen përbindësha
Zogj grabitqarë
Të ushqehen me yje
Hënës, t`ia kafshojnë trupin me puthje
Pastaj, të flenë të qetë
Mëkatin si rrobë e dalë mode, ta flakin tutje
Mos piva shumë
Kësaj nate të vonë?
Lola Shehi Letër e pashkruar