Sytë e Evgjenisë – Hasan Qyqalla
Hasan Qyqalla
SYTË E EVGJENISË
Sytë e tu moj Evgjeni, i takova vetëm në letër
E buzëqeshur me mimikë: ashiki e kohës së vjetër.
U bëre këngë e pakënduar, zure vend në vargun tim
Shpirtbardhë e padjallëzuar, plagë m’u bëre në mërgim.
Me tri varrë plot me dhembje, s’kuvendon asgjë nuk thua
Ik nga dehja e ligësisë, ditët rrjedhin si ujë në krua…
Ç’janë këto dallgë uragani, të goditën hiç pamëshirë
S’je e vetme ori e marrë, një Kod t’ri për ditë të mirë.
Lotin tënd do ta përkëdhel, ngrite kokën kthe mënjanë
Ja një rreze sa po lind, është për ty Evgjeni matanë.
Sytë që m’ke moj Evgjeni, lotët thajnë bebëzat e tua
Merr një këngë në çifteli, një premtim më fal mua…
E molisur, e venitur, sikur tretesh ditë nga pak
Kujto “Lulen e Kujtimit”, dashurisë mos i bëj lak.
Hiq mërinë Evgjeni, për ditarin e jetëshkrimit
Kur t’merr lemza Ty mendo, kujto çunin e mërgimit.
E psherëtima kur t’kaplon, nxirr ofshamë të thellë sa deti
Merre lapsin evoko vet…! Është ai çuni nga Kurbeti.
Kur s’ke gjumë ulu pranë, nga dritarja vështro qiellin
Kërko yllin që t’ngashënjen, foli,… pyete për Ylberin.
Porosinë e kësaj nate, jepja zogut të parë n’agim
Të ma sjell e ta lexoj, e arkëtoj në notesin tim.
Mos të strukë melankolia, pesimizmin hidhe fare
I lexoj vargjet e bardha, gjithë nga jeta djaloshare.
Thonë Satani është i marrë, të helmon me gjuhë gjarpri
Sytë e tu,…heu Evgjeni, mos t’i puthë kurrë gjitari…!
Nëse kam zhuritje shpirti, do kërkoj një dritë neoni
Sytë e tu,…ah Evgjeni, dritë kandili tash së voni…!
Kur të ndjehesh e trazuar, ik në kopsht kërko qetësi,
Engjëllushë a Doruntinë, urtë lexo këtë poezi…!
Nga Prof.Hasan Qyqalla