August 4, 2024

Endrra e nesërme që e desha sot – Sabit Rustemi

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

sugjeruar nga Xheva Salihaj

Sabit Rrustemi

ËNDRRA E NESËRME QË E DESHA SOT

Luginave ku prehet në dysh
kurrizi i k’tij Mali t’Moçëm
shprushet Etna
nga vullkane të fjetuna trubullohet Kroi

Një Mjellmë e Bardhë e Ujërave të Kaltra
më përfton syve e m’trazon n’Rrajë t’Çepurit

Dallgë të furtunta zjarresh
përplasen mbi Trojën e Lashtë
e mbi mua
sa herë të kujtoj e nuk të kam

Fat a Kob ishte ai Çast që u njohëm
në një fund mali e një fund stine
skaj Jonit të përtërishëm

Nuk ish ai Yll i largët
me mijëra vite drite që më digjte
as ai zjarr i pashuar luftërash
që ende flakëron nëpër kohë

Shikimi yt prej Mona Lize ish
ndezës e flakërues si tash
që m’i zjarrmon ndjenjat deri në hi
Kot thyj udhën kah Syri i Kaltër
a gjarpëroj Jonit për dritë hëne

Vetëm ndizem e përndizem më shumë
asaj pyllnaje ngjyrë qumshti
hapësirës së mëndafshtë të qenies sate

Cila je ti

Helena a Sirena e Detjonit
që kërthizës sime u përbirove
gjete strehë
e dole në këtë kopsht Çepuri

Mjellmë e bardhë ujërash
erërash e valësh
dashuri e pashterur nëpër kohë
në qiell të ngritën prej epshesh
thellë shtresave të nëndheut të shtypën
barbarë të përdalë e bukëshkalë

Sa Troja u luajt e u përsërit në ty
s’ma thua dot

M’u katrithe sysh si ëndërr e përnatshme
pas mijëra e mijëra vitesh
zgavrave të thella të Priamit
erdhe deri tek unë

Në Teatrin e rilindur të Butrintit
si në profil
poshtë ujërave fytyrën Tënde shoh
e lëshohem tinëz pas Teje

Në vend të Perit të Ariadnës
vargnoj fjalën
liqenit që lanë trupin e ujtë në çdo gjashtë orë
të kërkoj

Dal në Maje të Lëkursit si te Çepurit
si n’pëllëmbë dore të shoh e nuk të prek

Më rrëshqite duarsh si ujtë e Jonit
e nuk të zë mësa ëndrrën
as kur shtrij rrjetën

Zgjohem para agut
dal te bregu
stinëve
moteve që s’janë

Ti mbetesh këtu
ëndërr e jetës së nesërme
që e desha sot

(18 – 19 dhjetor 2018)

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com