August 4, 2024

Për gruan (Mikes që ma vranë) – Majlinda Nana

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Sugjeruar nga Xheva Salihaj

Autore MAJLINDA NANA

PER GRUAN
Mikes që ma vranë

Dashuria pa mure është imoralitet, – i thanë
dhe e mbërthyen në trekëmbësha poshtërimi
e quajtën marrëse të eliksirit njerëzor
dhe në emër të popullit e ekzekutuan qetësisht.
Mund ta kishin vrarë ndryshe,
për shembull kur priste poshtë ballkonit sa të pushonte shiu
por u duhej vepër penale më bindëse
dhe pritën një natë pranvere kur ajo i gëzohej stinës së vet
e i treguan që e deshën më shumë se ajo veten.
(Me gjasa e kanë dashur)

Mikja ime ishte vajzë e një babai, nënë e një djali,
motër e një vëllai, ëndërr e çdo burri,
por lutësit e pështytësit e vranë.
E vranë mizorisht ponc pilatët!
Vrasje e zakonshme për ta…

Njerëzimi – vrasës serial,
zhytur duart gjer në bërryl me gjak vajzash të parritura,
i kërkon virgjëresha të përjetshme!

Mikja ime i besoi vrasësit të parë të saj,
pas tij, turmat iu vërsulën si pelegrinë mortorë
ia bënë shoshë dinjitetin,
e vendosën në stendën e përgjimit, përgojimit, pëshpëritjes përbuzëse
dhe e gjuajtën sa mundën me moral fals.

Fillimisht e puthën
derisa e futën në kurthe të zymta e tinzare që e gjora s’i njihte,
ia shkelën sinqeritetin e saj,
fytyrën e bukur ia nxinë,
vështrimin e ëmbël ia vodhën,
trupin e paveshur ua servirën si mish të butë
gjithë të gjallëve jargavaçë, që u eksituan sa e panë
e kur mbaruan,
iu bashkuan vrasjes.
Pati nga ata që nxituan t’i shqyenin leckat e fustanit të dlirtë.

Turmat vrasin!
U mblodhën në funeralin e saj,
secili nga një grusht poshtërim,
të fundit, sa për varrim.
Ky ritual purifikues i mbodhi të gjithë,
ku ishin e ku s’ishin, gra e burra, me kuç’ e maç’.
Bota kundër saj!
Miken time e masakruan karontët mitologjikë të shekullit të ri
e për ta cuar në Had e thanë lumin Akeront…

Pasi mbaruan me të,
joshës e kameleonë të ndezur
pelegruan në ekzekutimin e radhës,
drejt një tjetër zemre të pastër.

Pas disa vitesh

Qetësia e Judesë u prish…
Gratë të përjetësuara në mermere…
Burrat nisën t’i buzëqeshnin njëri -tjetrit…

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com