Fije të arta (Poezi nga Lola Shehi, kushtuar vajzave të Xheva Salihaj – Lola Shehi
Sugjeruar nga Xheva Salihaj. Kjo poezi eshte shkruar nga z.Lola Shehi me kerkesen e Xheva Salihaj, kushtuar vajzave te saj)
Lola Shehi
FIJE TË ARTA
Ju fije të arta, që më qëndisni shpirtin
Diell i zjarrtë, që më ngrohni çdo stinë
Gurë të çmuar, që më zbukuroni çdo sekondë të jetës
Gjak që më vlon në dejet e shtatit tim
Ju filiza të brishtë, rritur mes gishtërinjsh
Duart më janë dridhur, kur në krahë ju kam marrë
O ndjesi hyjnore që s`gjej krahasim
Kur nënë më keni thirrur për herë të parë
Ju jeni pesë cepat që i duhen një ylli
E të pesta bashkë, formoni qiellin tim
Ju jeni dashuria që më ngrini e më digjni gjirin
Jeni arsyeja që mbani në jetë gjithësinë
Jeni pesë gishtat e dorës, ngjitur në pëllëmbë
Gonxhe pranverore spërkatur me vesë
Ju jeni ajo dhimbja, që m`a gris cipën e hënës
Që më drithëron të gjithën, kur secilin pres
Ju jeni valsi i lumturisë, që nuk i gjej dot emër
Ju jeni simfonia, që më fton çdo mbrëmje në vallzim
Jeni motivi i vetëm, që më bën të ndjehem femër
Që më kurorëzuat nënë, deri në amshim
Ju jeni qetësia, oksigjeni që më mbush me frymë
Jeni njëkohësisht,vullkani e stuhia, tornado e rrufeja
Në muret e zemrës time, janë gdhendur pesë emra
Donjeta e Besa, Denisa e Dorina, dhe më e vogla, Klea
Nga Lola Shehi..
04.04.2018