Gjërat e mia të vogla – Petrit Ruka
Sugjeruar nga Xheva Salihaj
Petrit Ruka
GJËRAT E MIA TË VOGLA…
Erdhi koha t’i mbledh gjërat e mia të vogla,
siç bënte nëna me bohçen e saj në sepete
ku rrobat e reja të vdekjes vinin era ftua.
do nisem ndonjë ditë t’i mbledh në vendlindje
harruar atje, pikur për mua,
janë sa një grusht- ca të pakta thërrime….
Them t’i mbledh përrenjtë e vegjël në një shishe,
t’i fus arat e vogla në një shamizë xhepi,
këngët e harruara për drithërimën e parë të një fqinje
inçizuar në gjethen e një plepi.
do ta fus në xhep varrin e babait si një kuti shkrepse,
do t’i qep pas zemrës përkëdheljet e Nënës
mbase hënën do përdor si makinë qepëse.
Do t’i marr zogjtë e do t’i vë në fole të veshëve,
dhe erërat në mushkri e në fymën e fundit,
do t’i kopjoj në të bardhën e syve të lodhur,
portën, plakat, gjerdhet dhe bel- kthesat e Vjosës
që meket pas zallit si një grua
në dhomën e saj të gjumit…
Do shkoj të marr shokët, të gjallë e të vdekur,
gjimnazin ku u mësova De Radën nxënësve të mi,
do t’i vë tek koka e krevatit si librat e fundit
nuk kam ç’lexoj gjë tjetër në këtë shtëpi…
me strehë të vogla sa krahu i pëllumbit…
Si Nëna, njësoj si Nëna, që i kish gati të tëra
me rroba të zeza, shami të zezë, palosur më dysh,
më vini dy re të vogla Goliku në xhep
ose si monedhat për taksën e Hadit
m’i vini më mirë sipër sysh….
Dy re që t’i kem si fletore shkollari
për ndonjë këngë të pa thënë,
a brengë që as varri se tret,
po nisem t’i mbledh gjërat e mia të vogla
është e vetmja punë e bukur që më prêt…
Petrit Ruka