August 4, 2024

Një nënë në qytet – Xhelal Ademi

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Sugjeruar nga Xheva Salihaj

Xhelal Ademi

Një nënë në qytet

Mu përtej taverne përgjëroj një nënë
Duke shtypur tokën me hap të rënduar,
E ligësht e brisht e zverdhur si hënë
Mes qepallash ruan nja dy qiej të shuar.

Ngutem t`i afrohëm t`i flas kot më kot
Por shikim prej nëne seç më pat goditur,
Ishte përgëdhelës por s`i flisja dot
Mbeta si statuje me buzë të nemitur.

Ajo si asgjëja mezi hapte udhë
Veçse disa hapa lodhej më pastaj,
E kotë të bëzaja do gërvishja rrudhë
Edhe një më tepër tek fytyrë e saj.

Ah sërish u mata, sa doja t`i flas
Ku rrugon oj nënë t`i them pa nxitim,
Por ç`t`i bëj trishtimit, zemrës që më plas
Sakaq një mijë copa përmes gjoksit tim.

Oh gjithëçka të flas t`i përkulem dua
Nënëloke ç`më hape arkën me kujtime,
Jo mëkot qyteti nis e shkel mbi mua
Heshtur ma ke sjellur ti sot nënën time.

Koha bëhet gurë s`ka moment mizor
Kemi ndryrë shikimet nuk e lë të shkojë,
E mbaj përqafuar por se kam në dorë
Qindra fjalë i flas pa lëvizur gojë.

Eh si m`vajti mendja s`e kuptoj as vetë
T`ia fshi një çurg djerëse nga i saji ballë,
Por i katandisur nëpër çast të shkretë
S`di si m`ra nga dora si e humba vallë?!

Ndoshta sakaq hyri tek një pikël loti
Që ra mes kalldrëmi mbase s`pati fre,
Gjersa gjej vetveten tek ec për së koti
Mbi kokë s`ishte dielli por e zeza re…

Xhelal Ademi

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com