August 3, 2024

Ftesë për tu grindur – Sokrat Habilaj

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Sugjeruar nga Xheva Salihaj

Sokrat Habilaj

FTESË PËR TU GRINDUR

Nëse do duheshim pa bërë grindje,
Malli do na thahej si bukë e vjetër.
Dhe ta shtynim në një cep tavoline,
Duhet ta kafshonim. S’kishim tjetër.

Nuk do putheshim kohë e pa kohë,
Po në fund javë, a një natë midis.
E pasi të thoshim:-U krye dhe kjo!
Do shtriheshim, kurriz në kurriz.

Korrekt dhe në shtrat, nen për nen,
Po ndoshta veç, a dhe me një gojë.
Si të gjithë ata që duhen pa një cen,
Do flisnim për tradhti, sa për lojë.

Po skutave s’iknim, s’iknim në terr,
Nga ndrojtja se do takonim të keqen.
Nëse do duheshim pa bërë një sherr,
Përgjysmë do ta donim edhe veten.

Ashtu në kurriz do ndiheshim në faj,
Dhe inat do ta merrnim gjithë botën.
Se nëse skutave, s’u shkuam në skaj,
Ndoshta një tjetër, ua gjente portën.

Po unë vij tek ti, më tej se grindja,
E gërmadha nis e kthej, çdo skutë.
Dhe pasi ulem, në muret që prisha,
Bëhem më i keq, e rindez një luftë.

[ Sokrat Habilaj ]

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com