Përmes syve, përtej mendjes – Rifat Ismaili
PËRMES SYVE, PËRTEJ MENDJES
Çdo gjë që thuhet brenda zemrës del prej syve
Ajo që del nga sytë shkon përtej dritës…
Rrugën e dritës e përshkon harku i shpirtit
Vetë shpirti thërrmohet në mijëra pafundësi…
Pafundësia jemi unë, ti, pemët, hijet e natës
Edhe një pikëz vesë eshtë gjithësi
Por mbi të qëndron diçka më e fuqishme
Ndjenja që e quajmë ëmbël ” DASHURI”…
Dashuria fluturon mbi krahë dallandyshesh
Rrëzohet si ylber në flokët e tu të butë
Të shndrit, të ndryshon, të bën një me shqisat
Të jep bukurinë që dhe dheun tund…
Të jep buzëqeshjen që ngjall të vdekurit
Shpresat e lirisë ti vë kurorë mbi kokë
Po ç’ është dashuria pa sytë e mendjes?
Atje gjithçka fillon apo mbaron!…
Është mendja- lokomotivë që tërheq gjithësinë
Që shpik njeriun, dashurinë, çdo gjë në këtë botë
Këtë hyjneshë të pashpallur brenda vetes ndjejmë
Dhe gjuhën, dhe zërin, që në zotër na shndërrojnë!