August 3, 2024

Duhemi ne dhe bota ka fat ! – Petrit Ruka

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Sugjeruar nga Xheva Salihaj

Petrit Ruka

DUHEMI NE DHE BOTA KA FAT

Siç del një violinë nga këllëfi i saj,
ti dole nga fustani dhe mbete lakuriq.
Edhe njëqind neonë të ndizeshin njëherësh
s’do vdiste errësira në atë dhomë, siç vdiq.

Unë isha tani harku tendosur për kujë
që duhet të luaja mbi honet e tua.
I tmerrshëm është çasti për notën e parë,
pastaj simfoninë di ta shkruajë vetë një grua.

U pleksëm pa sy, si hardhia në lis
dhe gjaku u mpiks, u bë verë perëndie.
Si s’pati fat asnjë skenë ta shohë
si luhet në shtrat një vallëzim dashurie!

As harku i ylberit përkryer prej Zotit
nuk është si yti kur epohesh mbi mua,
asnjë orë në botë s’është shpikur akoma
të mas aq saktë sa rënkimet e tua…

As uji në rërë nuk pihet kaq shpejt
sa ç’bën ti me mua, o zalli në gusht,
tek çahesh ngado si kokrra e shegës
dhe pret të të mbush me mjaltë, me musht…

…Tani që u zgjuam, shpejt eja t’i mbledhim
gjymtyrët tona shpërndarë mbi krevat!
Pa shih sa e bukur jashtë u bë bota,
se duhemi kaq shumë dhe bota ka fat…

Petrit Ruka

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com