Tim Atë – Lumni Nimani
Sugjeruar nga Xheva Salihaj
Tim Atë
Melankolia sa thell më lëndon,
në brendinë e shpirtit tim plot hall.
I dashur baba, kjo zemër kurrë s’të harron!
Sa hije të kishte ai plis i bardhë me shall!
As vitet që ikën, që përgjithmonë na ndanë,
qëkur ti u nise, për në botën tjetër,
s’më ndalën as dhembje, dhe as ofshamë,
sa herë të kujtojë n’atë shtëpinë e vjetër…
Aty ku së pari unë në jetë hapërova,
ku ti hapje krahët të më përqafosh,
Aty ku ABC – në, e fjalën Atdhe mësova,
ku më thoje këtë fjalë kurrë t’mos e harrosh.
Kurdo që dëgjoj tinguj çiftelie,
këta tinguj magjik, më pushtojnë pa masë,
sikur më rikthjejnë në kohëra robërie,
kur nga dhuna zemra, shpesh ka dashtë me m’plasë…
Kënga kur jehonte gjithmonë për lirinë,
shpeshherë t’rridhte loti, i dashur baba…
si për Bec Sinanin e Selman Kadrinë,
dhe për heronjtë tjerë që dëshmorë kanë ra.
Ku më rrëfeje shpesh, aty përballë oxhakut,
për dy vëllezërit tu, vrarë nga armiqtë gjakatarë,
se si u vunë prangat, n’shtëpi para pragut…
e i vranë mizorisht, veç pse qenë shqiptarë…
Si djalë i ri që isha, s’mund të harroja,
për rrëfimet e vuajtjet e babait tim,
t’mos jetë e vërtetë-ah sa shumë do doja!
Kur m’vranë axhallarët, e u lanë fëmijët jetim!
Nëse unë ligshtohem, e loti për ty m’pikon,
shumë të kërkoj ndjesë o më i shtrenjti im!
Ngase askush si ti, kurrë s’më ledhaton,
Të pastë shpirti dritë, atje në amshim!
Lumni Nimani
2019 Straubing
Gjermani